Ishte shkrimi mbi Bitcoin i botuar në Nëntor 2008 nën pseudonimin e “Satoshi Nakamoto ” ai që e shfaqi dhe e bëri të njohur teknologjinë me blloqe zinxhir në sytë e publikut. Kjo është teknologjia që mbështet monedhën virtuale Bitcoin. Megjithatë kjo teknologji inovative në fakt nuk u krijua nga Nakamoto por nga Dr. Kelce Wilson diku në vitin 2000.

Teknologjia me blloqe zinxhir ofron një regjistër rezistent ndaj mashtrimeve me dhe përkundrejt transaksioneve. Transaksionet mbahen nga një rrjet njësish kompjuterike (nyje kompjuterike). Regjistri i shpërndarë i transaksioneve është i mbrojtur kundrejt ndryshimeve nëpërmjet kriptografisë. Kryerja e transaksioneve dakordësohet përmes marrëveshjeve shumëpalëshe të konsensusit në rrjetin e nyjeve kompjuterike.

Meqënëse teknologjia me blloqe zinxhir është teknologjia që qëndron pas Bitcoin-it, le të përdorim këtë si shembull për të shpjeguar parimet bazë të kësaj teknologjie. Bitcoin lehtëson transaksionet e sigurta online. Kjo monedhë virtuale e realizon këtë duke përdorur kriptografi me çelës publik. Çelësat përdoren si një mënyrë identifikimi. Çelësi publik është identiteti ose adresa juaj në Bitcoin, në blloqet zinxhir dhe këtij identiteti i referohet çdo transaksion. Çelësi privat nga ana tjetër, njihet vetëm nga ju; ky është një fjalëkalim kryesor i cili ju jep qasje në asetet tuaja digjitale dhe si i tillë duhet të mbrohet.

Teknologjia me blloqe zinxhir është projektuar për t’ju lejuar që të bartni pasuritë dixhitale dhe të kryeni transaksione dixhitale, por mos ti kopjoni ato. Transaksionet, pasi verifikohen, vendosen në një bllok i cili i shtohet blloqeve të tjera të informacionit në zinxhirin e blloqeve. Ky zinxhir i blloqeve (i cili është regjistri kryesor i transaksioneve) shpërndahet pastaj përmes një rrjeti të nyjeve kompjuterike Përdorues-me-Përdorues (Peer-to-Peer P2P). Me fjalë të tjera, ajo ndahet me të gjithë pjesëtarët në rrjetin e atij regjistri. Meqënëse informacioni shpërndahet në rrjet, nuk ka më një vend të vetëm (p.sh. një server qendror) ku ruhet gjithçka.

Çdo nyje mund të mbajë informacionin e të gjitha blloqeve në zinxhir. Çdo bllok informacioni duhet të vlerësohet dhe vërtetohet në të gjithë rrjetin nga një “minator” ose “mbledhës” përpara se të shtohet në zinxhir. Minatorit të suksesshëm i paguhet një tarifë transaksioni si dhe një subvencion, që është mënyra se si vazhdojnë të krijohen Bitcoin-e të reja. Rrjeti e kryen këtë operacion duke ndjekur një sërë rregullash të pajtuara paraprakisht. Këto rregulla janë pjesë jetike e një blloku zinxhir. Rregullat sigurojnë që të gjitha nyjat janë në të njëjtën faqe, duke respektuar të njëjtat procedura dhe udhëzime. Rregullat për konsensus ose marrëveshje mund të bazohen në:

  1. Dëshminë e punës. Nyja duhet të kryejë një sasi të caktuar të punës në mënyrë që të shtojë një bllok të vlefshëm në zinxhirin e blloqeve; ky koncept përdoret zakonisht në monedhat e kriptografuara, duke përfshirë monedhën
  2. Dëshminë e aksioneve. Me këtë nënkuptojmë që nyja e cila vërteton transaksionin ka një përqindje të caktuar të vlerës totale të rrjetit.
  3. Vlerësimi i shumëfishtë. Më shumë se një vlerësues i vlefshmërisë së transaksionit duhet të bien dakord nëse transaksioni është i vlefshëm ose jo.
  4. Toleranca Bizantine Praktike e Gabimeve. Një algoritëm i ndërtuar për të zgjidhur mosmarrëveshjet midis nyjave të ndryshme në rastin kur njëra prej tyre gjeneron një rezultat të ndryshëm nga pjesa tjetër e rrjetit.

Është rregulli dhe norma e konsensusit, së bashku me shpërndarjen e gjerë në rrjet dhe vlefshmërinë e transaksioneve në regjistër të cilat bëjnë të mundur dhe sigurojnë që të mos ketë nevojë për ndërmjetës (persona ose institucione ndërmjetësuese) ose palë të treta të besuara që të miratojnë transaksionet. Pasi të jenë vendosur në zinxhir, të gjitha transaksionet janë publike dhe lehtësisht të verifikueshme. Kjo transparencë do të thotë se blloqet janë të auditueshme.

Çfarë Informacioni Gjendet në një Bllok?

Bazuar në mekanizmin e paracaktuar të konsensusit, secili bllok përmban, së paku, të dhënat e veta dhe hash-in e bllokut të mëparshëm në zinxhir, si dhe një histori të të gjitha transaksioneve. “Hash” është termi për një varg unik karakteresh ose shifrave që i caktohen dhe i bashkëngjiten çdo transaksioni. Nëse ka ndonjë ndryshim në të dhëna, atëherë automatikisht gjenerohet një hash i ri nga sistemi. Blloku origjinal nuk mund të ndryshohet ose modifikohet – ai është i tërësisht pandryshueshëm. Dhe është pikërisht kjo që e bën të pamundur çdo tentativë keqdashëse për ndryshimin strukturës ose të dhënave të bllokut. Çdo ndryshim ose modifikim që kryhet është transparent dhe i dukshëm, sepse hash-i i gjeneruar nga sistemi nuk do të jetë më i njëjti me atë të mëparshmin.

Pra, me pak fjalë…

“Blockchain” është një regjistër publik ose privat që ndahet midis shumë pjesëmarrësve, ku transaksionet regjistrohen dhe vërtetohen në mënyrë anonime (ose më mirë të themi, pseudoanonime). Sapo informacioni futet në një bllok, ai nuk mund të ndryshohet më.

Aty ku blloku zinxhir dhe bota reale kryqëzohen, sfidat e të botës reale do të vazhdojnë të ekzistojnë. Për shembull, nëse një video nuk është pjesë e një blloku zinxhir dhe është e kufizuar për përdorim në atë kripto-sferë, është e vështirë për të parandaluar kopjimin e saj nga njerëzit. Arsyeja pse blloku zinxhir funksionon dhe punon me monedha është që të gjithë pjesëmarrësit të janë të inkurajuar për të parandaluar të tjerët që të kopjojnë paratë dhe përdorimi i atyre parave të jetë i kufizuar në monedhën e kriptografuar.

Flluskë Sapuni apo Teknologji Shpresëdhënëse?

Shpërndarja e përmbajtjes në një rrjet P2P nuk është një gjë e re. BitTorrent është ndoshta një nga rrjetet më të njohura P2P. Po pse atëherë teknologjia me blloqe zinxhir ka zgjuar kaq shumë interes?

Kjo ka ardhur prej potencialit të saj. Kombinimi i regjistrit të blloqeve zinxhir të shpërndarë në mënyrë transparente, konsensusi i besueshëm dhe pandryshueshmëria – e cila nuk mbështetet në ndërmjetës dhe që mund të aplikohet në një gamë të gjerë industrish – është arsyeja pse kjo teknologji konsiderohet si inovative dhe ndërprerëse e disa teknologjive dhe procedurave tradicionale. Ajo ofron premtimin për të qenë në gjendje të ulë kostot, të krijojë një mënyrë të re të komunikimit dhe të sfidojë dhe ndryshojë infrastrukturën tradicionale të transaksioneve.

Veçanërisht në sektorin financiar, teknologjia me blloqe zinxhir ka sfiduar drejtpërdrejt rolin kyç të lojtarëve si një palë e tretë e besuar. Institucionet të cilat për një kohë të gjatë janë parë si autoriteti qendror – ku të gjitha transaksionet janë miratuar, regjistruar dhe janë ruajtur – tani janë të kërcënuara për t’u konsideruar si të vjetërsuara. Dhe nuk është vetëm industria financiare. Për shkak të zbatueshmërisë potencialisht të gjerë, çdo institucion që është një lojtar kyç i transaksioneve, po përballet tani me një sfidë në mënyrën e punës së tyrë: avokatët, gjykatat, qeveritë, etj.

Për disa, kjo teknologji është një kornizë që mund të kufizojë dhe reduktojë mashtrimin, korrupsionin, gabimin njerëzor ose koston e proceseve që përdorin shumë letër. Për të tjerët, kjo teknologji ofron potencial për të zgjeruar shtrirjen e tyre duke ofruar transaksione të sigurta në vendet ku autoritetet qëndrore shihen si të dyshimta ose nuk janë të vendosura plotësisht: për shembull, disa vende të CIS ose madje edhe pjesë të Afrikës.

Ethereum dhe Kontratat e Mençura

Me zhvillimin e teknologjisë me blloqe zinxhir e cila mund të përfshijë edhe logjikën e biznesit, Ethereum paraqiti për herë  të  parë “kontratat e mençura”. Kjo mundësoi që marrëveshjet e një kontrate të ekzekutoheshin automatikisht. Ata gjithashtu krijuan organizimin autonom të decentralizuar (DAO) që mund të përdoret për strukturat qeverisëse më komplekse. Këto zhvillime hapën derën për të krijuar aplikacione të tjera të bazuara në teknologjinë me blloqe zinxhir.

Qeveria e Estonisë p.sh. po përqafon teknologjinë me blloqe zinxhir për një shumëllojshmëri të regjistrave të saj të shërbimeve shtetërore si regjistrat e taksave, noterizimin e martesave, çertifikatat e lindjes dhe kontratat e biznesit, si dhe eHealth për të siguruar të dhënat mjekësore të mbi një milion qytetarëve.

Përveç këtyre, janë parashikuar aplikime për lëshimin e pasaportave, për përcjelljen e furnizimeve të zinxhirit të furnizimit, sistemet e votimit elektronik, si dhe sigurimin e transparencës për shpenzimin e parave të ndihmave.

Është e rëndësishme të theksohet se teknologjia me blloqe zinxhir është një teknologji e sapolindur. Përtej Bitcoin tashmë tepër të njohur dhe në përdorim, shumë nga aplikacionet e tjera janë kryesisht të paprovuara në një shkallë më të gjerë.

Print Friendly, PDF & Email